SHKËNDIJA

Nazim RASHIDI

Nuk më bie shpesh të shkoj të shikoj ndeshjet e Klubit të Futbollit Shkëndija, por të martën isha në stadiumin e qytetit të Tetovës. Një klub futbolli shqiptar do të jetë i pari në Maqedoni. Shkëndija de fakto është kampione edhe pse ka edhe dy ndeshje deri sa të marrë titullin zyrtarisht. Të martën doja të isha dëshmitar i një ngjarjeje ku me fitoren 2:1, u verifikua kampioni. Festa reale do të jetë javën që vjen kur do të përfundojë kampionati. Por dalja në krye e Shkëndisë për veç se një sukses sportiv për mua do të duhet të shndërrohet edhe në një simbol i një Maqedonie tjetër, ku roli i shqiptarëve po bëhet më i rëndësishëm në shoqëri. Shqiptarët gjatë gjithë këtyre viteve kërkojë barazi dhe më shumë të drejta kolektive. Nga ana tjetër nuk është se kanë pasur shume suksese kolektive. Ky mund të konsiderohet një i tillë, për shkak të ngarkesës emocionale që bart për Tetovën, ku me vite tentohej një arritje e tillë, por edhe për shkak të një sensi unifikues që sjell kjo fitore. Në stadium për asnjë moment, asnjë nuk gëzonte fitoren me kontekst politik, për asnjë moment nuk u përmend asnjë parti. Të gjithë ishin një, nën brohorinë e këngës "Besa, besë, Besën e kem dhane...". Futbollistët ndërkohë janë nga thuajse gjithë qytet e Maqedonisë, pjesë e ekipit janë dhe joshqiptarë, të cilët trajtohen në mënyrë të bravarë dhe brohoriten me po aq entuziazëm. Një Maqedoni në veprim me gjithë "multikulitin" e saj, por ku dominojnë shqiptarët. Një fytyrë tjetër dhe jo thjesht sportive. Kur jemi te sporti, edhe një Shkëndijë tjetër doli e para, Klubi i Volejbollit, gjithashtu kampioni i Maqedonisë. Këto fitore janë simbole shoqërore për një ndryshim që vërehet, ku roli i shqiptarëve po bëhet më i rëndësishëm dhe më prezent në shoqërinë e këtij vendi. Dhe ky është momenti i cili i kalon përmasat e sportit të këtyre fitoreve. Për 20 vjet Maqedonia ka kaluar periudha të rëndësishme, turbulenca, konflikt, tensione... dhe një gjë ende nuk arrin ta reflektojë plotësisht në mënyrë të hapur: se është një vend i të gjithëve dhe jo një herë i njërit dhe pastaj i të tjerëve. Tashmë jemi në një periudhë elektorale dhe deklarimet dhe shfaqjet e partive politike janë të kalkuluara mirë. Kësaj here nuk shohim një acarim, apo edhe mesazhe të fshehura nacionaliste (të paktën deri më tani) por çështja është se sa është e gatshme e gjithë shoqëria të pranojë se shqiptarët mund të jenë në krye të një vendi, qoftë edhe në fushën sportive. Nga ana tjetër, sa shqiptarët janë të gatshëm vetë të mbajnë përgjegjësinë e të qenit në krye? I bëj këto pyetje sepse isha dëshmitar i një bisede ku shprehej një habi dhe mospranim i hapur se si një klub shqiptar (kur ka aq shumë maqedonas), mund të na dalë i pari në Maqedoni? Në mendësinë e përgjithshme Maqedonia ende nuk konceptohet si e të gjithëve dhe si rrjedhojë as edhe suksesi i një klubi futbolli. Shkëndija, qoftë ajo e futbollit ose e volejbollit do të përfaqësojnë Maqedoninë në garat me rivalët e tyre evropianë. Nëse do të arrijnë sukses, sukses i kujt do të jetë ky atëherë? Vetëm i shqiptarëve, siç po perceptohet tani, apo i gjithë Maqedonisë? Tetova u përfshi në një gëzim të madh të martën. Të rinjtë, por edhe të rejat (ndonëse shumë pak por ishin në stadium), vërshuan qytetin duke brohoritur "kampionë", "kampionë"... pas kësaj pamë politikanët se si takohen dhe fotografohen me klubet sportive... por a do të fotografohet edhe Kryeministri, ose liderët e opozitë maqedonase me kampionët e vendit të tyre? Realiteti politik është i tillë, ku ende politikbërja është e kanalizuar vetëm ndaj një etnie. Fjalimet dhe mesazhet janë të drejtuara vetëm drejt një grupi. Po! Edhe votimi është i tillë, organizimi i partive është kryesisht në baza etnike, por ndërkohë jeta dhe realiteti është më i ndërthurur. Nëse është evident fakti se të arrish në krye të një kampionati për një ekip shqiptar është diçka e rëndësishme, simbolike, emocionale, diçka e dëshiruar, e ëndërruar prej kohësh atëherë pse kjo nuk perceptohet si e tillë edhe nga politikanët maqedonas? Është fushatë dhe në fund të fundit ndaj të gjitha subjekteve politike maqedonase shqiptarët kanë ngarkesa për shkak të kaluarës të tyre politike të cilat kanë qene tejet të ashpra ndaj tyre. Anuk do të ishe ky një moment për të treguar një gjest mirëkuptimi? Por pse jo edhe një gjest që do të thoshte se ne jemi pjesë e një shoqërie dhe se ka filluar një fazë e re e të kuptuarit më të mirë mes vete. Megjithatë Maqedonia ende vazhdon të jetë një shtet në të cilin ka më shumë shoqëri dhe jo një shoqëri me elemente të saj të ndryshëm, të cilat shihen si përparësi për vendin. Sporti konsiderohet si një aktivitet i cili është i organizuar, i cili ka rregulla të qarta dhe është konkurrues, ku në një moment një person ose një grup brenda rregullave del fitues dhe ku në thelb ka zbavitjen dhe argëtimin. Por sporti jo rrallë herë është përdorur për qëllime politike, pozitive dhe negative. Shembulli më dramatik se si sporti u përdor për përhapjen e ideologjisë së caktuar janë lojërat olimpike të vitit 1936, kur Hitleri nëpërmjet propagandës përdori ngjarjen për të dhënë mesazhe të caktuara. Një ndeshje futbolli u konsiderua si pika e nisjes së konfliktit në ish Jugosllavi mes klubeve kroate dhe serbe. Ka edhe shembuj të tjerë edhe këtu, ku ndeshjet sportive janë një shpërthim i emocionit të caktuar. Por ajo që vlerësohet në përgjithësi është se nëpërmjet sportit shprehen emocione dhe ndjenja kolektive, që nga ato të mëhallës, e deri tek ato kombëtare. Ndjesitë dhe ndjenjat me plot pasion të cilat mund të jenë simbol edhe i diçkaje pozitive. Nëpërmjet sportit shpesh jepen dhe mesazhe unifikuese, apo të krijimit të një vlere të përbashkët. Shpallja kampion në futboll e Shkëndijës duhet parë pikërisht si një shkëndi për fillimin e një realiteti tjetër për tej sportiv, një festë e energjisë shqiptare e cila mund të bëjë shumë. Një moment ku mund të ndikohet shumë në shoqëri, edhe në atë pjesën shqiptare por edhe në atë shtetërore. Një moment ku një element i caktuar, sportiv në këtë rast, duhet parë si një vlerë e përbashkët që tregon për një potencial të ri edhe ndryshe. Mbi të gjitha të jesh kampion do të thotë se ke dhënë një angazhim maksimal dhe përkushtim. Tregon një sens të theksuar përgjegjësie, dashuri dhe kujdes për atë që bën. Shkëndija po na bën krenar dhe po na rikujton këto parime, të cilat tani duhet ti mësojnë mirë edhe pjesëtarët e kampionatit që do të mbarojë më 5 qershor. 

Dsc06600