Kryesia e Shkëndijës ua mbyll dyert “Komitëve”

Askush nuk dëshiron që të anulohet ndeshja e të dielës, ndërsa nga tifo grupi i Vardarit “Komiti” përmes rrjetit social “Facebook”, paralajëmrohet se me apo pa leje ata do të udhëtojnë për në Tetovë

Hajrush MANI


Në pritje të ndeshjes të së dielës, që do të jetë një derbi i madh, si nga aspekti që luajnë dy skuadra të mëdha të futbollist të Maqedonisë, poashtu janë dhe dy rivalë të madh edhe nga ana e tifozëve. “Ballistët” që kësaj radhe janë nikoqir po bëhen gati që të organizojnë një spektakël, duke u dhënë përkrahje futbollistëve të tyre, që në sezonin vjeshtor arritën të jenë në pozitën e parë. Nga ana tjetër janë “Komiti” nga Shkupi që thonë se tani kanë një Vardar të rikonstruktuar dhe se dëshirojnë që me ndihmën e tyre të ndihmojnë ekipin që gjendet në pozitë të vështirë, luftë për ekzistencë në Ligën e Parë. 
Sipas të gjitha paralajmërimeve nga ana e FFM-s, kjo ndeshje tani më do të shpallet me rrezik të lartë, duke marrë parasysh edhe vet rëndësinë e fitores që kanë që të dy ekipet, mirëpo edhe nga vet fakti se janë shumë të afërta incidentet që ndodhën në Kalanë e Shkupit dhe se pikërisht ky rast mundë të jetë një mejdan i radhës për apo dhe provokim që mund të ndodhë me anë të grupeve të tifozëve. Nga radhët e Shkëndijës kanë thënë se është janë duke punuar në të gjitha aspektet që organizimi të jetë në nivel të lartë dhe se nuk do të lejohet që të ndodhë asnjë incident i padëshiruar. Drejtori sportiv ka sqaruar për gazetën “Koha e Re” se klubi ka kontakte të shpeshta me zyrat e MPB-së Tetovë dhe FFM-në. “Jemi duke punuar që gjithçka të jetë në rregull. Nuk ka mundësi që të ndodhë udhëtim i organizuar i “Komitëve” edhe përkundër paralajmërimeve që kanë bërë ata. Ne besojmë se nëse një gjë e tillë ndodhë, ata do të jenë të ndalur që në vendkalimet e para në autostradë. Do të lëshojmë në shitje buleta vetëm për dy tribunat kryesore dhe atë të “Ballistëve”, "Marshin Beqiri", bëri të ditur Shaqiri. Nga ana e FFM-s janë bërë përpjekje që të këshillojnë dy skuadrat që të aplikojnë vendimin për ndalesë të tubim të organizuar të tifozëve, ndërsa ata mendojnë se tani më kjo duhet të jetë detyrë e MPB-së, e cila ka për obligim që të përcjellë situatën. Në bisedë me zëdhënësin e FFM-s, Zoran Nikollovski mësojmë se kjo punë tani më i takon vetëm se organeve të rendit. 
“Ne nuk kemi ndryshuar vendimin e marrë për ndalim të udhëtimit të organizuar nga tifo grupet. Tani ndeshja e të dielës është nën kompetenca të KF Shkëndija dhe organeve të rendit, pra MPB-së. Nëse dikush “Komitët” dëshirojnë të udhëtojnë të organizuar, këtë nuk duhet ta lejojë MPB-ja, pasi që ne nuk mund të dalim rrugëve dhe të bëjmë një gjë të tillë. Mendoj se nëse dikujt i konvenojnë të shfrytëzojnë sportin për qëllime politike, është gabim, pasi edhe situata që ndodhi në Kalanë e Shkupit ishte e papëlqyer, por javën tjetër kur MPB-ja reagoi ashtu siç duhej, nuk kishte asnjë incident. Andaj mendoj se nuk duhet ngritur shumë zhurmë në këtë rast, pasi që vetëm duhet që secili të kryejë punën e vet”, deklaroi për “Koha e Re”, Zoran Nikollovski.

“Komitët” organizohen përmes “Facebook”
Rrjeti social “Facebook” është bërë mënyra më e lehtë për të komunikuar njerëzit, po qoftë edhe për tubime të ndryshme. Kështu që në faqen e hapur nga “Komitët” për ndeshjen e javës së parë të sezonit pranverorë, është lëshuar kumtesë ku thuhet: “Pas rekonstruimit të ekipit të Vardarit, është një ndeshje “të jesh apo të mos jesh”, për mbijetesë në Ligën e Parë. Përkrhja jonë është mëse e nevojshme, ndërsa ne jemi në pritje që kryesia e KF Shkëndija, ajo e Vardarit dhe MPB-së të pranojnë kërkesën tonë për udhëtim, pasi që në duelin e parë kishte marrëveshje mes këtyre tri subjekteve që t’u lejohet tifozëve mysafirë në ndeshjen e luajtur në ‘Arenën Filipi i Dytë’, e që kjo të jetë si reciprocitet në ndeshjen që duhet të luhet me 6 mars. Pa marrë parasysh se a do të lejohet apo jo prezenca jonë, të tregojmë se sa jemi të përgatitur të shkojmë! Shkojmë në Tetovë”, thuhet në fund të komunikatës nga “Komitët”

Nuk anulohet ndeshja
Edhe pse është përfolur se ndeshja në mes Shkëndijës dhe Vardarit ka gjasa që të anulohet dhe të luhet në datë tjetër, këtë gjë e kanë demantuar nga Shkëndija dhe FFM. “Nuk ka mundësi, e as që do të lejojmë që të anulohet. Ne garantojmë se do të ketë organizim të mirë dhe se nga ana tjetër edhe MPB-ja do të ndërmarrë masa për parandalim të udhëtimit të organizuar nga grupi i tifozëve të Vardarit, andaj do të them se të gjitha lajmet e tilla janë vetëm spekulime”, tha Shaqiri. Edhe Zoran Nikollovski, zëdhënës i FFM-s tha se nuk ka arsye që të anulohet një ndeshje derbi pse pritet të ketë numër të madh të tifozëve. 

Dsc07559